Ligjëratë me Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) mbi nismat legjislative qytetare dhe ndryshimet në Kodin Penal të Republikës së Kosovës
Me koordinimin e Dekanit të Fakultetit Juridik të UIBM-së, Prof. Dr. Islam Qerimi, dhe Drejtorit Ekzekutiv të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), z. Ehat Miftaraj, u realizua ligjërata me temën “Nisma legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
Ligjërata u mbajt në kuadër të aktiviteteve akademike të Fakultetit Juridik, me pjesëmarrjen e Drejtorit Ekzekutiv të IKD-së, z. Ehat Miftaraj, si dhe ekspertëve të drejtësisë, Gëzim Shala dhe Naim Jakaj. Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare në proceset ligjvënëse, të drejtën e qytetarëve për nismë legjislative dhe rolin e këtyre iniciativave në përmirësimin e legjislacionit dhe forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.
Gjatë ligjëratës u trajtuan çështje me rëndësi të veçantë juridike dhe shoqërore, ndër të cilat propozimi për kriminalizimin e moszbatimit të qëllimshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe sanksionimi i përdorimit të parasë publike për përfitime elektorale gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore. Diskutimet nxorën në pah rëndësinë e përgjegjësisë institucionale, mbrojtjes së rendit kushtetues dhe parandalimit të keqpërdorimit të burimeve publike për interesa politike.
Një pjesë e rëndësishme e ligjëratës iu kushtua së drejtës së qytetarëve për nismë legjislative, si një mekanizëm demokratik përmes të cilit qytetarët mund të ndikojnë drejtpërdrejt në hartimin dhe përmirësimin e legjislacionit. Studentët u njoftuan me fazat e ndryshme të procesit ligjvënës, duke përfshirë inicimin e një propozimi ligjor, hartimin e tij, procedimin në institucionet përkatëse, shqyrtimin parlamentar, diskutimet dhe amendamentimet, deri te miratimi dhe hyrja në fuqi e ligjit, sipas procedurave të përcaktuara.
Ligjërata u karakterizua nga një debat aktiv dhe bashkëbisedim i hapur me studentët, të cilët patën mundësinë të shprehin mendimet e tyre, të parashtrojnë pyetje dhe të diskutojnë mbi sfidat praktike dhe juridike që shoqërojnë iniciativat për ndryshime ligjore. Përmes diskutimeve, studentët analizuan rëndësinë e angazhimit qytetar, rolin e institucioneve dhe nevojën që ndryshimet ligjore të kontribuojnë në rritjen e llogaridhënies, transparencës dhe sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.
Kjo ligjëratë përbënte një mundësi të vlefshme për studentët që, përtej njohurive teorike, të kuptojnë më nga afër funksionimin e procesit ligjvënës dhe rolin që mund të luajnë qytetarët në nxitjen e reformave juridike. Njëkohësisht, aktiviteti kontribuoi në ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e institucioneve të përgjegjshme, respektimit të Kushtetutës dhe përdorimit të drejtë të parasë publike, si parakushte themelore për një demokraci funksionale dhe një shtet të së drejtës.


