Objekti

Në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” do të pranohen 1181 studentë

Në bazë të vendimit të Senatit, sipas propozimit të njësive akademike, në vitin akademik 2018/19 (niveli bachelor) në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), do të pranohen 1181 studentë. Të gjithë do të jenë studentë të rregullt, meqë në Universitetin “Isa Boletini” nuk ka studime me korrospondencë.

Ndryshe mbi numrin e përgjithshëm të studentëve të paraparë, do të regjistrohen deri në 2 për qind përkatësisht deri në 23 studentë të rregullt që i takojnë familjes së ngushtë të dëshmorëve (anëtar të familjes së ngushtë të dëshmorëve janë: bashkëshorti, bashkëshortja, fëmijët). Studentët e kësaj kategorie do të shpërndahen në mënyrë proporcionale sipas përqindjes së numrit të përgjithshëm të studentëve për secilin departament apo program të fakulteteve veç e veç.

Si shtesë e numrit të përgjithshëm të përcaktuar, UMIB do të regjistrojë deri në 12 për qind, përkatësisht deri 141 studentë të rregullt nga komuniteti jo-shumicë. Kuota prej 12 për qind e vendeve të rezervuara për regjistrim të studentëve nga komuniteti jo-shumicë do të shpërndahet në mënyrë proporcionale sipas përqindjes së numrit të përgjithshëm të studentëve për secilin departament apo program të fakulteteve veç e veç.

Në UMIB, në bazë të kuotave të përcaktuara nga MASHT-i, mund të pranohen edhe kandidatët nga Mali i Zi, Presheva, Bujanoci, Medvegja, Maqedonia dhe Shqipëria. Numri i studentëve të rregullt që do të pranohen nga këto vende do të jetë 1 për qind e numrit të përcaktuar, përkatësisht deri 14 studentë. Kandidatët të cilët kanë lindur në vendet e sipërshënuara, ndërsa shkollimin e mesëm e kanë mbaruar në Republikën e Kosovës, do t’iu nënshtrohen kushteve të njëjta për pranim si kandidatët nga Kosova.

Mbi bazë të konsideratave humane, UMIB rezervon të drejtën e pranimit të kandidatëve me nevoja të veçanta. Ndryshe kandidatët, të cilët kanë të regjistruar një program studimi në cilindo nivel të studimit në kuadër të UMIB nuk kanë të drejtë konkurrimi në program tjetër studimi në UMIB pa përfunduar studimet në programin ku kanë qenë duke studiuar ose pa u ç’regjistruar nga programi aktual i studimeve.