Marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Gjilanit
Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof.asoc.dr. Alush Musaj, ka pritur të martën në takim homologun e tij nga Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, prof.asoc.dr. Bajram Kosumi, me të cilin nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy universiteteve. Në marrëveshje planifikohet që dy universitetet të bashkëpunojnë për promovimin dhe mbështetjen profesionale në zhvillimin e gjithëmbarshëm socio-ekonomik.
Në marrëveshje janë precizuar saktë edhe pikat e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë. Planifikohet shkëmbimi i personelit akademik për procesin mësimor, mandej edhe shkëmbimi i pedagogëve dhe studentëve në kuadër të veprimtarisë shkencore.
Pikë tjetër në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit është edhe nxitja dhe mbështetja e realizimit të projekteve të përbashkëta kërkimore, mandej nxitja dhe mbështetja e organizimit të veprimtarive shkencore etj. Gjithashtu parashihet shkëmbimi I literaturës shkencore, përvojës menaxheriale etj.
Të dy rektorët janë shprehur shumë të kënaqur me marrëveshjen e nënshkruar për bashkëpunim ndërmjet dy universiteteve. Ata u zotuan të ofrojnë krejt mundësitë që ofron njëri dhe universiteti tjetër në të mirë të punës kërkimore si për studentët, ashtu edhe për stafin akademik dhe administratën.