Inkurajohen vajzat dhe gratë që të shfrytëzojnë Programin e Bursave “Gratë në Energji”
Studente nga të gjitha fakultetet e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, kanë marrë pjesë të martën në një sesion informues të organizuar nga Fonadacioni i Mileniumit në Kosovë (FMK), ku është prezantuar Programi i Bursave “Gratë në Energji”. Prezantimin e ka bërë, Petrit Selimi, kryeshef ekzekutiv i FMK-së.
Sipas tij, programi i bursave WE / “Gratë në Energji”, është aktiviteti i parë në përpjekjen shumëdimensionale që synon krijimin e mundësive për gratë që të marrin pjesë në sektorin e energjisë përmes arsimit të avancuar, punësimit dhe sipërmarrjes. “Ky aktivitet mbështetet nga programi Threshold i dakorduar mes Qeverisë së Kosovës dhe Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit”.
Ai njoftoi se bursat do të ofrohen për të mbuluar koston e plotë të dy viteve të studimeve për gratë dhe vajzat në institucionet e akredituara akademike, me fokus të veçantë në lëndët STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë).
Selimi inkurajoi pjesëmarrjen e vajzave dhe grave që kanë diplomë të shkollës së mesme ose janë aktualisht të regjistruara në universitet për të shfrytëzuar këtë mundësi për të studiuar rreth energjisë në SHBA.