U mbajt Akademia Përkujtimore kushtuar profesorit, Latif Berisha
Në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), u mbajt të hënën një Akademi Përkujtimore për profesorin, Latif Berisha, në 20 vjetorin e vrasjes së tij nga regjimi serb. Përveç drejtuesve të UMIB-it, në këtë Akademi Përkujtimore morën pjesë drejtues dhe përfaqësues të insitucioneve lokale dhe qendrore, studiues të veprës së profesor, Berishës, familjarë, mësimdhënës, studentë etj.
Rektori, prof.dr. Alush Musaj, ju uroi mirëseardhje mysafirëve në emër të UMIB-it. Ai tha se nderimi dhe vlerësimi i një personaliteti sikur profesor, Berisha, është nder dhe privilegj për Universitetin dhe për të gjithë qytetarët e Mitrovicës.
Rektori Musaj, theksoi se vrasja e Latif Berishës, më 24 mars 1999, ditën kur filluan sulmet e NATO-së ndaj forcave serbe, nuk ishte e rastësishme. “Ai ishte i pari në listën e vrasjes nga regjimi serb, meqë ishte i pari në listën e shpresës së shqiptarëve. Dhe vrasja e tij shënoi edhe fillimin e fundit të regjimit serb në Kosovë”.
Spas tij, duke vra Latif Berishën, vrastarët donin që ta vrisnin yllin që ndriçonte, donin që ta vrisnin shenjën orientuese dhe gjithçka të kthehej në kaos, tmerr dhe frikë në qytetin e tij. “Janë disa figura që i japin identitet një qyteti, një populli apo një kombi. Ata bëhen pika referuese, që eklipsojnë të metat e zakonshme të një shoqërie dhe bëjnë që ajo shoqëri të shquhet me diçka të veçantë. Dhe padyshim se Latif Berisha, ishte i veçantë”.
Musaj tha se Latif Berisha personifikon një intelektual të guximshëm, një intelektual të mirëfilltë, që shquhet për momentin e reagimit. “Ai personifikon një patriot të mirëfilltë që nuk ndahet nga populli i vet, por ndan fatin e tij. Mishërimi i shumë virtyteve në figurën e tij, e impononin në secilin rreth profesor, Berishën. Kombinimi i fjalës së bukur si poet, me përkushtimin si profesor, fjalën e duhur si veprimtar dhe guximin për t’u përball, e shpërfaqnin personalitetin e veçantë të Latif Berishës”.
Një fjalë rasti e mbajti edhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës në Mitrovicë, Safet Kamberi, ndërsa fjalën kryesore për jetën dhe veprën e profesorit, Latif Berisha, e mbajti studiuesi, Isak Shema. Të pranishmit i ka përshëndetur edhe e bija e profesorit, Latif Berisha, profesoresha, Fatmire Berisha.
Ndërsa, një grup i studentëve të Fakultetit të Edukimit, u paraqitën me një recital nga krijimtaria e Latif Berishës.