Rektori Musaj vizitoi laboratorët e FTU-së
Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, ka vizituar të martën laboratorët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore (FTU), pas vendosjes në hapësirat e reja në objektet universitare. I shoqëruar nga dekani i FTU-së, Milaim Sadiku, kanë parë për së afërmi punën që bëhet aty.
Dekani Sadiku, tha se pas vendosjes në hapësirat e reja në kuadër të objekteve universitare, janë krijuar kushte jashtëzakonisht të mira edhe për punë praktike. “Hapësirat e reja kanë krijuar mundësi që të futen në funksion të gjitha pajisjet që gjenden në kuadër të tre laboratorëve të FTU-së”.
Në anën tjetër, rektori Musaj, ka përgëzuar dekanin Sadiku si dhe mësimdhënësit dhe studentët për hapësirat e reja. “Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të shohësh studentët dhe mësimdhënësit duke punuar në kushte kaq të mira që janë krijuar në kampusin e ri universitar”.
Sipas tij, hapësirat e reja kanë ndikuar në një gjallërim të aktiviteteve universitare. Në këtë kontekst, ai përmendi konferencat shkencore, aktivitetet dhe projektet e ndryshme të përbashkëta ndërmjet Universitetit dhe biznesit etj.