UTS.

Profesorë dhe studentë të Universitetit Teknik të Stambollit vizituan UMIB-in

Profesorë dhe studentë të Universitetit Teknik të Stambollit, të shoqëruar edhe nga pronarë biznesesh në Turqi, kanë vizituar Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), ku janë pritur nga  rektori, Alush Musaj. Ata janë interesuar për mundësitë e bashkëpunimit me UMIB-in, duke pasur parasysh programet e përafërta në fushën e gjeologjisë.

Në këtë kontekst, u bisedua për vendosjen e bashkëpunimit me Fakultetin e Gjeoshkencave. Rektori Musaj, i ka falënderuar për vizitën dhe gatishmërinë e tyre për bashkëpunim. “Ne bashkëpunojmë me shumë universitete në Turqi dhe kemi një përvojë jashtëzakonisht të mirë në këtë  drejtim”.

Të dy palët u pajtuan që bashkërisht të përgatiten dhe të gjejnë fushat e bashkëpunimit, në mënyrë që të organizohet edhe një ceremoni rasti për nënshkrimin e marrëveshjes.