Fakultet

Zyra Kombëtare e Auditimit pa vërejtje për Universitetin “Isa Boletini”

Në raportin e publikuar të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”(UMIB), si nënprogram i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për financat në vitin 2018, nuk është adresuar asnjë çështje. Auditori gjatë ekzaminimit të dokumentacionit të prezantuar bazuar në standardet e aplikuara ka dhënë opinion të pamodifikuar me arsyetim se dokumentacioni dhe dosjet e kërkuara janë përgatitur në të gjitha aspektet materiale, në pajtimin me kornizën e zbatueshme financiare.

Rektori i UMIB-it, Alush Musaj, theksoi se raporti i auditimit që nuk ka dhënë asnjë vërejtje të vetme, tregon për profesionalizmin dhe menaxhimin e suksesshëm në këtë institucion. Ai vlerësoi përkushtimin e stafit përgjegjës, të cilët kanë bërë një punë jashtëzakonisht të mirë në këtë drejtim.

Ndërsa, drejtori për Financa në UMIB, Besim Kurti, tha se procesi i auditimit është kryer në përputhje me standardet ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit (SNISA).  “Sipas këtyre standardeve është prezantuar dhe kontrolluar dokumentacioni i kërkuar duke dhënë mundësinë e konsultimeve të përgjegjësve që mbulojnë fushat që ishin objekt i kontrollit. Dosjet e kërkuara ishin të mjaftuara që auditori i përgjithshëm të jep opinion profesional lidhur me menaxhimin financiar”.

Sipas tij,  procesi i auditimit ishte i bazuar në dokumentet që rregullojnë funksionimin financiar në UMIB. Në këtë kontekst, objekti i kontrollit ishin planifikimi, menaxhimi, shpenzimet, burimi  i të hyrave dhe kontrolli financiar i aktiviteteve të realizuara në të gjitha kategoritë ekonomike.  Gjithashtu janë audituar rregulloret e aprovuara, kompensimet etj, për të cilat nuk janë gjetur vërejtje.

Vërejtje nuk janë gjetur as për Strategjinë  Zhvillimore për Universitetin e Mitrovicës për vitet 2018-2021, në fushën e buxhetit dhe proceseve të cilat ndërlidhen me planet strategjike të aprovuara nga MASHT. Kurti tha se auditori nuk kishte vërejtje dhe komente lidhur me planifikimin, përformancën dhe indeksin e realizimit të buxhetit për vitin fiskal 2018.