Dy studentë holandezë prezantuan hulumtimin për ujërat e shkarkuara nga industria e qumështit
Në kuadër të programit Erasmus+, studentët holandezë, Jelner de Jong dhe Johannes Kingma, kanë prezantuar të hënën në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore (FTU), një hulumtim për trajtimin e ujërave të shkarkuara nga industria e qumështit në Kosovë. Pjesë e këtij hulumtimi të realizuar në bashkëpunim të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Shoqatës së Industrisë së Qumështarëve të Kosovës (SHQK), Universitetit “Van Hall Larenstein” nga Holanda si dhe organizatës “YUNIKO”, ishin edhe studentët,
Fjolla Latifi dhe Bleron Fazliu, të cilët e vlerësuan si një përvojë të jashtëzakonshme.
Qëllimi i këtij hulumtimi, që u prezantua në FTU ishte analiza e nivelit të ndotjes së shkaktuar nga ujërat, në këtë rast nga hirra, që shkarkohen nga industria e qumështit si dhe mundësia e prodhimit të ushqimeve që mund të përdorën për njerëz ose kafshë. Në prezantim ishin të pranishëm drejtues të FTU-së, profesorë nga UMIB-i dhe Holanda, studentë si dhe qumështarë.
Ndryshe, kohë më parë në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore (FTU) të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, është hapur edhe Qendra e Ekspertizës, që ka për qëllim trajtimin e ujërave të shkarkuara nga industria e qumështit si dhe rritjen e cilësisë së prodhimeve të qumështit.