Ambasadorja gjermane vizitoi Universitetin e Mitrovicës
Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, zonja Angelika Viets, ka vizituar të mërkurën Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), ku është pritur nga rektori, Alush Musaj. Në takim është biseduar për sfidat dhe të arriturat e këtij institucioni të arsimit të lartë në Kosovë, i cili edhepse i ri ka arritur të konsolidohet shpejtë.
Rektori Musaj, tha se tradita e gjatë akademike në qytetin e minatorëve, ka bërë që Universiteti i Mitrovicës vetëm dy vjet pas themelimit të tejkaloj sfidat si universitet i ri. “Stafi që kemi pasur në fushat teknike ka bërë që mos të kemi probleme të kësaj natyre, prndaj kjo na ka ndihmuar që universiteti ta marr veten shpejt pas themelimit”, tha ai.
Ai e njohu ambasadoren edhe për fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar që ka Universiteti i Mitrovicës. “Kemi bashkëpunime me dhjetëra universitete në rajon, Evropë dhe Amerikë. Bashkëpunojmë edhe me një numër univeristetesh në Gjermani dhe jemi të interesuar që edhe më ta intensifikojmë bashkëpunimin, sidomos me universitetet që kanë programe të përafërta me ato që ka Universiteti i Mitrovicës”.
Në anën tjetër, ambasadorja gjermane, Angelika Viets, ka shprehur kënaqësinë për bashkëpunim e frytshëm që ka UMIB-i me universitetet gjermane. Ajo premtoi të mbështes Universitetin e Mitrovicës në realizimin e këtyre projekteve që janë në të mirë të studentëve dhe profesorëve.
Pas takimit me rektorin Musaj, ambasadorja gjermane ka mbajtur një ligjëratë para senatorëve, profesorëve dhe studentëve të UMIB-it, për integrimet evropiane të shteteve të Ballkanit. “Politika jonë është e orientuar në atë drejtim që mbështes të gjitha vendet e Ballkanit që të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian”, tha ajo.