U mbajt “Dita Alumni”

Aktivitetet për shënimin e 6-vjetorit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, janë mbyllur të mërkurën me “Ditën Alumni”, ku kanë marrë pjesë drejtues dhe anëtarë të Këshillit Drejtues të UMIB-it, rektori, dekanët, mësimdhënës, studentë dhe ish-studentë. Organizimi i “Ditës së Alumnit” është vlerësuar si një ngjarje shumë e rëndësishme për Universitetin në përvjetorin e 6 të themelimit.

 

Rektori, prof..dr.Alush Musaj, ka përshendetur dhe falënderuar të gjithë për aktivitetet e organizuara gjatë këtyre ditëve. Ndërsa sa i përket, “Ditës së Alumnit”, ai tha se kjo është një ngjarje tjetër me rëndësi që po ndodh në Universitet, duke pasur parasysh se ky përvjetor po shënohet në kampusin e ri universitar.

Tha se ka qenë një javë e mbushur me aktivitete, të bashkëorganizuara me studentët, që e kanë ngjallur kampusin universitar. “Gjallëria e kampusit reflekton angazhimin tonë të përbashkët për rritjen e përkushtimit tonë për dije dhe arsimim më të mirë. Me këtë rast dua të falënderoj drejtuesit e asociacionin “Alumni” për këtë organizim, dua të falënderoj drejtuesit e Parlamentit Studentor dhe të gjithë ata që kanë ndihmuar në organizimin e aktiviteteve gjatë këtyre ditëve”, tha rektori Musaj.

Ai theksoi se përvjetorët e Universitetit “Isa Boletini”, përkojnë edhe me një ngjarje të madhe të historisë kombëtare.
“Është fjala për Epopenë e Lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandantit legjendar, Adem Jashari, që i kanë hapur rrugë lirisë sonë. Me këtë rast shprehim respektin më të lartë për sakrificën e tyre sublime”. 

Ndërsa, kryetari i asociacionit “Alumni”, Milaim Mehmeti, duke folur për punën që po bëhet në kuadër të këtij asociacioni, tha se vizioni i “Alumnit” është që të jetë një shoqatë dinamike, e drejtuar nga vlerat dhe e orientuar drejt mbështetjes së nevojave shoqërore dhe intelektuale të të gjithë anëtarëve.

Sipas tij, misioni i “Alumnit” është të ofrojë lidhje të fortë komunikimi ndërmjet Universitetit, studentëve dhe “Alumnit” për të promovuar një frymë uniteti, bashkëpunimi dhe besnikërie mes tyre, si dhe për ngritur imazhin e Universitetit dhe të gjithë anëtarëve “Alumni”.

Në fund kanë ndarë përvojat e tyre të suksesit, tre ish-studentë; Agim Dauti, Shefqet Kuçi dhe Valdete Idrizi, duke zgjuar kërshërinë e të pranishmëve dhe sidomos të studentëve.