Studentët mund të shfrytëzojnë pajisjet e Shërbimit Gjeologjik për punë praktike
Pajisjet e Shërbimit Gjeologjik të Kosovës (SHGJK), që janë të vendosura në Fakultetin e Gjeoshkencave në kuadër të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, do të mund të shfrytëzohen nga studentët për qëllime studimore. Për këtë qëllim të hënën u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi nga drejtori i Përgjithshëm i SHGJK-së, Fidaim Sahiti dhe dekani i FGJ-së, Naser Peci.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje në rektoratin e UMIB-it, ishte i pranishëm edhe rektori i UMIB-it, Alush Musaj dhe ministri në detyrë për Zhvillim Ekonomik, Valdrin Lluka. Ata shprehën kënaqësinë për krijimin e lehtësirave për studentë sa i përket shfrytëzimit të pajisjeve të SHGJK-së.
Ndryshe, sipas marrëveshjes së bashkëpunimit, janë përcaktuar saktë edhe kushtet e shfrytëzimit të këtyre pajisjeve për studentë dhe stafin akademik.