Fjalimi i rektorit, Alush Musaj, në hapje të “Konferencës Ndërkombëtare për Gjeoshkencë”
I nderuar, z.Dillon Green nga Ambasada e Shteteve të
Bashkuara të Amerikës në Kosovë
I nderuar, akademik, Minir Dushi
Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare
Të nderuar studiues nga vendi, rajoni dhe Evropa
Të nderuar dekanë, prodekanë, mësimdhënës dhe studentë
Të nderuar të pranishëm
Më lejoni fillimisht t’ju uroj mirëseardhje në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” dhe gjithashtu në “Konferencën e Parë Ndërkombëtare Multidiciplinare në Gjeoshkencë”, e cila organizohet nga universiteti ynë në bashkëpunim me Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Shërbimi Gjeologjik i Kosovës. Kjo paraqet një ngjarje të shënuar jo vetëm për Universitetin e Mitrovicës dhe Mitrovicën, por edhe për gjithë vendin tonë në përgjithësi.
Jemi të nderuar, që kemi mundësinë të jemi nikoqir të një eventi të këtillë, që është futur si ngjarje dhe në listën e aktiviteteve të vitit 2019 nga Shërbimi Gjeologjik Evropian. Do të thotë konferenca që po e hapim sot është e përmasave evropiane dhe për këtë jemi jashtëzakonisht të lumtur.
Poashtu prania e shkencëtarëve dhe studiuesve nga vende të ndryshme evropiane, krahas atyre nga rajoni dhe vendi, i japin kuptim të mirëfilltë kësaj konference për gjeoshkencë. Më lejoni që në këtë kontekst, të falënderoj secilin prej jush që është i pranishëm sot këtu.
Zonja dhe zotërinj, Kosova dhe Mitrovica në veçanti për shkak të specifikave, ka tepër nevojë për ngjarje të këtij karakteri. Ngjarjet me karakter shkencor kanë qenë të pakta dhe kanë mbetur nën hije të rrethanave politike prej pasluftës e këndej në qytetin tonë, prandaj kjo konferencë është një lajm i mirë.
Është një lajm i mirë meqë ka mbledhur studiues nga vende të ndryshme në universitetin tonë, që përkundër sfidave po konsolidohet përditë e më tepër. Pas rrugëtimit nëpër shtëpi dhe objekte të improvizuara, Universiteti ynë, vitin e kaluar ka nisur punën në këtë kampus të ri, shumë modern dhe përfaqësues. Tani po bëhemi dëshmitar të një
organizimi shkencore sikur ky sot, që është një inkurajim për të gjithë ne, si profesorë dhe studentë.
Të nderuar, ne nuk kemi pasur si të fillojmë vitin e ri akademik më mirë sesa me një ngjarje si kjo, prandaj edhe një herë më lejoni t’ju falënderoj për kontributin tuaj dhe t’ju uroj punë të mbarë.
Ju faleminderit!