Mirënjohje për organizatorët e “Konferencës Ndërkombëtare për Gjeoshkencë”
Organizatorët e “Konferencës Ndërkombëtare për Gjeoshkencë”, e cila është mbajtur më 10 dhe 11 tetor 2019 në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), janë nderuar me mirënjohje për angazhimin e tyre. Në një ceremoni të organizuar për këtë rast, rektori, Alush Musaj, ka përgëzuar Këshillin Organizativ për punën e mirë që kanë bërë dhe për suksesin që ka arritur konferenca.
Rektori Musaj, tha se ka konferenca ka qenë një përvojë jashtëzakonisht e mirë për UMIB-in, për stafin akademik dhe për studentët. “Në saje të kontributit tuaj si organizatorë konferenca ka shkuar shumë mirë dhe ka zgjuar interesim të shumë studiuesve që kanë ardhur nga shtete të ndryshme evropiane dhe nga rajoni”, tha ai, duke shtruar mundësinë që kjo konferencë të bëhet tradicionale.
Në anën tjetër, kryesuesi i Këshillit Organizativ, Sabri Avdullahi, falënderoi rektorin për mbështetjen e pakursyer sa i përket organizimit të konferencës. Ai theksoi se konferenca ka qenë shumë e suksesshme dhe si e tillë i ka bërë nder UMIB-it.
Sipas tij, punimet shkencore që janë prezantuar në konferencë do të përmblidhen në një botim të veçantë. “Kjo konferencë ka dëshmuar për kapacitetet tona sa i përket organizimit të një ngjarjeje shkencore me përmasa evropiane”.
Konferenca është organizuar nga UMIB-i, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Shërbimi Gjeologjik i Kosovës.