Marrëveshje bashkëpunimi për trajtimin e ujërave të zeza
Studentët dhe profesorët e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), do të kenë mundësi që për tre vjet me radhë të shfrytëzojnë kapacitetet e fabrikës “Bylmeti” në Fushë-Kosovë për punë praktike sa i përket trajtimit të ujërave të zeza. Gjithashtu ata do të kenë mundësi të ngritjes profesionale në këtë drejtim në kuadër të një projekti të përbashkët ndërmjet UMIB-it, fabrikës “Bylmeti” dhe fondacionit PUM nga Holanda për edukim sa i përket trajtimit të ujërave të zeza.
Për këtë është nënshkruar të enjten një marrëveshje bashkëpunimi nga rektori i UMIB-it, Alush Musaj, drejtori i fabrikës “Bylmeti”, Afrim Berisha dhe përfaqësuesi i PUM-it, Artur Matjis. Në të janë paraparë përgjegjësitë e partnerëve dhe qëllimi kryesor ka të bëj me ofrimin e mundësive për studentët dhe profesorët, por edhe për të gjithë të interesuarit tjerë sa i përket trajtimit të ujërave të zeza.
Në këtë drejtim është formuar edhe një grup i përbashkët nga studentë, profesorë, përfaqësues të bizneseve dhe inspektorë të mjedisit, të cilët do të shtyjnë më tutje projektet që kanë të bëjnë me ujërat e zeza. Anëtarët e këtij grupi për katër ditë kanë mbajtur një seminar me ekspertë ndërkombëtar, duke avancuar njohuritë për trajtimin e ujërave të zeza.
Rektori i UMIB-it, Alush Musaj, e ka vlerësuar jashtëzakonisht të rëndësishme bashkëpunimin e Universitetit me bizneset dhe institucionet tjera. “Kjo është një formë bashkëpunimi shumë frytdhënëse për të gjithë”, tha ai.
Ndryshe projekti i nisur në fabrikën “Bylmeti” për trajtimin e ujërave të zeza, mëtohet të realizohet nga ky grup edhe në të gjitha kompanitë dhe bizneset në të gjithë vendin.