U mbajt sesion informues për ndërkombëtarizimin e Universitetit
Drejtuesit e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), kanë intensifikuar përpjekjet sa i përket ndërkombëtarizimit universitar. Në këtë kontekst, të premten u mbaj një sesion informues për angazhimin që është duke u bërë në këtë drejtim.
Në prani të prorektorëve, sekretarit të përgjithshëm, profesorëve dhe studentëve, profesori Besart Hajrizi dhe profesoresha, Albulena Grajqevci, kanë prezantuar projektet që janë duke u realizuar sa i përket ndërkombëtarizimit universitar. U përmend projekti “Zhvillimi Cilësor i Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Menaxhimi i Projekteve (QUADIC), në kuadër të të cilit parashihet të punohen rregullore që do ta standardizojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në universitetet publike.
Në këtë sesion u tha se parashihet që nëpër universitete 1/5 e programeve të jenë në gjuhën angleze. Si rrjedhojë u shtrua nevoja për mobilizim të përgjithshëm të të gjitha strukturave në universitet, sa i përket këtyre objektivave.
Konkretisht, u potencua që në UMIB sa më shpejtë të funksionalizohet Zyra për Marrëdhënie me Jashtë dhe të hartohet Strategjia për Bashkëpunim Ndërkombëtar. Pati pajtim të përgjithshëm për nevojën e angazhimit më të madh
në këtë drejtim. Prorektori për Marrëdhënie me Jashtë, Behxhet Shala, shprehu mbështetje të plotë sa i përket punës për ndërkombëtarizim. “Jemi të përkushtuar që të bëjmë krejt çka është e mundur për të dalur të suksesshëm në rrugëtimin e universitetit tonë edhe në planin e ndërkombëtarizimit”, tha ai.