Studentët organizuan marsh për të shënuar “Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve”
Me moton: “Lejoni fëmijët të jenë fëmijë”, studentët e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), kanë organizuar të mërkurën një marsh nëpër qytetin e Mitrovicës. Ky aktivitet u organizua nga Parlamenti Studentor i UMIB-it në bashkëpunim me Këshillin Studentor të Fakultetit Juridik dhe Fakultetit të Edukimit, për të shënuar “Ditën e Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve”.
Pas marshimit nëpër qytet, studentët u ndalën në sheshin “Isa Boletinu”, prej ku kryetari i Parlamentit Studentor, Ensar Suma, mbajti një fjalim të shkurtër për rëndësinë e promovimit të Kartës për të Drejtat e Fëmijëve dhe mirëqenien e fëmijëve të botës. Sipas tij, respektimi i të drejtave të fëmijëve në Kosovë, nga përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe Institucioni i Avokatit të Popullit konsiderohen të jenë nën nivelin e dëshiruar.
Ai tha se sipas disa hulumtimeve, mbi 60 për qind e fëmijëve ne Kosovë deri në moshën 14 vjeçare kanë pësuar dhunë psikologjike dhe fizike, mbi 10 për qind e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë të rënda, derisa afër 7 për qind punojnë në kushte të rrezikshme. “Duke i pasur parasysh këto rrethana dhe detaje tjera, vendosëm që në këtë datë të marshojmë për të ngritur zërin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”.