1.

Stafi akademik dhe studentët u njoftuan për skemat nacionale të grandeve për kërkime shkencore, inovacion dhe bashkëpunim ndërkombëtar  

Drejtues të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), profesorë dhe studentë, kanë marrë pjesë në Ditën Informuese të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për promovimin e skemave nacionale të kërkimit. Gjithashtu në këtë aktivitet që u mbajt në hapësirat e UMIB-it, zyrtarët e MASHT-it kanë prezantuar edhe mundësitë e mbështetjes për inovacion dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

 

Fillimisht të pranishmit i ka përshëndetur rektori i UMIB-it, Alush Musaj, i cili falënderoi zyrtarët e MASHT-it për organizimin e këtij prezantimi. “Kemi vlerësuar se është e nevojshme të organizohen aktivitete të tilla, në mënyrë që stafi akademik dhe studentët të njoftohen nga dora e parë për këto mundësi që ju ofrohen sa i përket kërkimeve shkencore”, tha ai, duke bërë thirrje që të shfrytëzohen sa më shumë këto mundësi.

 

Në anën tjetër, zyrtarët e MASHT-it, folën për fushat dhe kriteret sa i përket grandeve që ofrohen në kuadër të skemave nacionale të kërkimit shkencor, programeve ndërkombëtare të kërkimit dhe mobilitetit akademik dhe të studentëve. Ata gjithashtu sqaruan procedurat për projektet e vogla shkencore, publikimet shkencore në revista me impact factor etj.