Universiteti i Mitrovicës bashkëpunon me universitetet bullgare
Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) ka shtrirë bashkëpunimin edhe me universitetet bullgare. Në këtë kuadër gjatë një vizite në Bullgari, rektori Alush Musaj, i cili shoqërohej edhe nga prorektori për Marrëdhënie me Jashtë, Rifat Morina, ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Trakisë në Stara Zagorë, ndërsa që janë zotuar për të vazhduar bashkëpunimin me Universitetin e Teknologjisë Kimike dhe Metalurgjisë në Sofje.
Rektori i Universitetit të Trakisë, Ivan Vashin, ka shprehur kënaqësinë për fillimin e bashkëpunimit me UMIB-in. Ai premtoi se do ta mbështes këtë universitet në të gjitha fushat me interes për studentët dhe profesorët.
Ndërsa, rektori Musaj, falënderoi homologun e tij, për mbështetjen. Ai u shpreh i bindur se kjo marrëveshje, në kuadër të të cilës ndër të tjera parashihet shkëmbimi i studentëve dhe profesorëve, do të ndihmoj në avancimin e punës kërkimore në UMIB.
Një takim i frytshëm është zhvilluar edhe me drejtuesit e Universitetit të Teknologjisë Kimike dhe Metalurgjisë në Sofje. Me këtë universitet UMIB-i është pjesë e projekteve të përbashkëta dhe si rezultat atje tashmë ka studentë dhe profesorë nga Mitrovica.
Rektori Musaj e falënderoi rektorin e këtij universiteti, Mitko Georgiev, për mundësitë që kanë ofruar për studentët dhe profesorët e UMIB-it. “Është një përvojë e jashtëzakonshme për studentët dhe profesorët tanë, për çka ne jemi shumë mirënjohës”, tha ai.
Si rezultat i intensifikimit të bashkëpunimit ndëruniversitar, studentët dhe profesorët e UMIB-it, janë bërë pjesë e projekteve të ndryshme nëpër Evropë.