Rektori Musaj jua uron 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit
Rektori i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), Alush Musaj, jua uron gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë, 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit. Festën ai ua uron veçanërisht studentëve, stafit akademik dhe punëtorëve të administratës të Universitetit, duke i inkurajuar ata për përkushtim të vazhdueshëm në përgjegjësitë e tyre.
Ai vlerëson se Dita e Flamurit, e cila që 18 vjet festohet në liri nga shqiptarët e Kosovës, të përkujton gjenerata të tëra që kanë sakrifikuar për këtë ditë. “Të gjithë ne, kemi për obligim ndaj atyre që kanë sakrifikuar gjithçka për këtë vend, që me përkushtimin më të madh t’i kryejmë me nder detyrat tona, në mënyrë që ta bëjmë Kosovën një vend ku jetohet në mirëqenie, në mënyrë që t’i bëjmë universitetet tona modele të funksionimit të jetës institucionale”.
Rektori Musaj ua uron me këtë rast edhe ditëlindjen e Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe daljen publike të UÇK-së. “Janë tri festa të mëdha në një datë që na e përkujtojnë rrugëtimin e vështirë deri këtu. Të vazhdojmë krenar rrugëtimin tonë drejtë së ardhmes evropiane”.