Hapen shtigje për bashkëpunim me kompanitë austriake
Drejtuesit e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), vazhdojnë përpjekjet për të hapur shtigje për rritjen e bashkëpunimit me industrinë, me qëllim të krijimit të mundësive për studentët në aspektin e punës praktike. Në këtë kuadër, të martën rektori i UMIB-it, Alush Musaj, ka pritur në takim profesorin, Arne M. Ragossnig nga kompania “Vermessung Angst ZT” me seli në Austri, me të cilin ka biseduar për përvojat që mund të shfrytëzohen nga studentët dhe profesorët e UMIB-it.
Rektori Musaj, tha se UMIB-i bashkëpunon me shumë kompani vendore, ku studentët kanë qasje dhe kryejnë punën praktike. Ai theksoi se kjo ka bërë që studentët të jenë në hap me të arriturat në fusha të ndryshme të industrisë.
Musaj, theksoi se bashkëpunimi me kompanitë jashtë Kosovës, do të ishte shumë me interes për UMIB-in. “Universiteti ynë njihet për fushat teknike, prandaj hapja e mundësive që studentët dhe profesorët tanë të kenë qasje në kompanitë jashtë vendit do t’i ndihmonte ata që të përgatiten për tregun e punës”, tha ai.
Në anën tjetër, profesori, Arne M. Ragossnig nga kompania “Vermessung Angst ZT”, i cili shoqërohej nga profesori universitar, Ismail Kabashi, poashtu pjesë e kësaj kompanie, shprehu gatishmërinë që të ndihmoj studentët e UMIB-it. “Ne jemi të gatshëm që të ofrojmë kapacitetet tona dhe në këtë drejtim jemi të hapur edhe për studentët që duan t’i shfrytëzojnë përvojat tona”, tha ai.
Rektori Musaj dhe profesori Ragossnig, u dakorduan që të vazhdojnë kontaktet për ta konkretizuar bashkëpunimin.