Ligjëratë Online me Dekanin e Fakultetit për Siguri Publike, Prof. Asoc. Dr. Bejtush Gashi
Me 6.05.2020 (e mërkurë), në ora 13.30 do të mbaj ligjëratë online Prof. Asoc. Dr. Bejtush Gashi – Dekan i Fakultetit për Siguri Publike
Tema: “Sistemi i menaxhimit të krizave në Kosovë”.
PËRVOJA AKADEMIKE – PROFESIONALE:
Prof. Asoc. Dr. Bejtush Gashi
është Dekan i Fakultetit të Sigurisë Publike – Akademia e Kosovës për Siguri Publike, me seli në Vushtrri.
Ai është ligjërues i lëndëve: “Menaxhimi i Krizave”, “Menaxhimi Emergjent dhe Terrorizmi”, “Siguria e Brendshme dhe Menaxhimi Emergjent”, “Operacionet humanitare në fatkeqësitë ndërkombëtare”. Profesor Gashi ka mbaruar studimet themelore në Universitetin e Beogradit gjatë viteve 1976/77 – 1982/83, ndërsa ka magjistruar në Universitetin e Zagrebit gjatë viteve 1985/86 – 1988/89. Studimet e doktoratës i ka mbaruar në Akademinë e Mbrojtjes “Spiro Moisiu” gjatë viteve 2002/03 – 2005 në Tiranë. Ka përvojë të mësimdhënies brenda dhe jashtë vendit në nivel universitar. Ishte ligjërues në Universitetin e Prishtinës nga viti 1984/85 deri në vitin 2013/14, si dhe i angazhuar në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë dhe në institucione private të arsimit të lartë në Kosovë nga viti 2007/08 deri më 2018/19. Në cilësinë e profesorit vizitor ka mbajtur leksione nga fusha e sigurisë në disa universitete të njohura të Evropës Juglindore, pastaj në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe në Akademinë Ushtarake “Spiro Moisiu” në Tiranë. Deri tani ka marrë pjesë në mbi 50 konferenca shkencore në nivel vendor e ndërkombëtar. Deri tash ka publikuar mbi 30 punime shkencore me recension ndërkombëtar me tituj: “Sfidat e sigurisë përballë një bote në ndryshim: Rasti i Kosovës”, “Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri dhe sfidat e këtij procesi”, “Kosova përball rreziqeve hibride”, “Roli dhe ndikimi i diplomacisë së shteteve të vogla në mjedisin e sigurisë kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare”, “Konceptet e sigurisë nacionale të Kosovës, sfidat përballë një bote në ndryshim”, “Sfidat globale të sigurisë dhe ndikimi i tyre në Strategjinë e Sigurisë së Kosovës”, “Sfidat e sigurisë së Aviacionit Civil në shekullin XXI”, “Konceptet e sigurisë në Kosovën e pavarur”, “Impakti i krimit të organizuar në sistemin e sigurisë së shteteve në tranzicion”, “Konceptet e reja të sigurisë dhe definimi i politikës së sigurisë në Kosovë” etj.
Është bashkautor i katër librave universitarë si: “Sistemi i
menaxhimit të krizave” (2012), “Roli dhe përgjegjësitë e Policisë në sistemin e Sigurisë së Brendshme në Kosovë”
(20012), “Konfliktet ndërkombëtare dhe ndëretnike”
(2008) dhe ”Ushtria jugosllave dhe prania e saj në Kosovë në periudhën 1945 – 1990” (2006).
Gjatë përvojës akademike ka mentoruar më shumë se 80 kandidatë për diplomim në studimet themelore, mbi 40 kandidatë master, si dhe ishte anëtar i Komisionit të temave të
disertacionit. Ishte recensent i disa librave universitarë. Gjatë karrierës profesionale, profesor Gashi ka ushtruar edhe pozitën e Drejtorit të Institutit për Studime të Sigurisë dhe Integrimeve në “Katana” 2007-2010, pastaj ishte anëtar i Bordit të revistave shkencore “Vizione” Shkup dhe “Trendi Global” në Prishtinë 2008-2016, shef i Katedrës së ligjëruesve të lëndës së Mbrojtjes në kuadër të Universitetit të Prishtinës 1996-2002, Drejtor i Politikave të Sigurisë së Brendshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme 2005-2007, Zëvendësministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës 2011 – 2014, si dhe Ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme 13 prill – 15 tetor 2018.