Rektori Musaj, zhvilloi takim online me drejtuesit e Parlamentit Studentor
Rektori i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), prof.dr.Alush Musaj, ka zhvilluar të martën një takim online me drejtuesit e Parlamentit Studentor, ku u diskutua për sfidat me të cilat po përballen studentët në rrethanat e krijuara si pasojë e Covid-19. Gjithashtu në takimin u fol edhe për ecurinë e mësimit në distancë të organizuar nga UMIB-i në këtë kohë pandemie.
Rektori Musaj, përgëzoi studentët për angazhimin e tyre edhe në këto rrethana jo të lehta si dhe ndjekjen e ligjëratave në distancë në mënyrë të rregullt. “Përgjigja ndaj situatës së krijuar ishte e përbashkët, prandaj ne çmojmë angazhimin tuaj si studentë dhe si Parlament Studentor”, tha ai.
Gjithashtu, rektori Musaj, i informoi drejtuesit e Parlamentit Studentor për përgatitjet që janë bërë në UMIB sa i përket procesit të riakreditimit institucional, ku janë të kyçur edhe studentët. “Jemi shumë të kënaqur me angazhimin e studentëve edhe në këtë proces tepër të rëndësishëm, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm duke qenë aktiv dhe të përgjegjshëm”.
Në anën tjetër, kryetari i Parlamentit Studentor, Ensar Suma, falënderoi rektorin për organizimin e këtij takimi online, në mënyrë që ata të jenë në hap me të gjitha zhvillimet në UMIB. Ai u shpreh i kënaqur me ecurinë e mësimit online në të gjitha njësitë akademike.