Rektori Musaj ua uron 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës
Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, ua uron tetë vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, studentëve, stafit akademik, punëtorëve të administratës dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.
Rektori Musaj, vlerëson se përvjetorët e Pavarësisë së Kosovës, paraqesin momente frymëzimi dhe reflektimi. “Pavarësia e Kosovës sublimon përpjekjet njëshekullore të popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe shtet”, tha ai
Në këtë kontekst, ai thekson se 100 vjet përpjekje, 100 vjet sakrifica, 100 vjet luftëra për shtetin që e kemi sot, janë obligim. “Shteti ynë është një histori vuajtjesh, prandaj duhet ta ruajmë. Duhet ta ruajmë për të ardhmen tonë, për të ardhmen e fëmijëve tanë”.
Përvjetorët e Pavarësisë së Kosovës, thotë Musaj, janë katalizatorë rifreskimi për të mbledhur energji të reja për të forcuar këtë shtet që është amanet i brezave, amanet i Adem Jasharit dhe gjithë të rënëve për liri. “Shtet i fuqishëm do të thotë institucione të fuqishme, zhvillim ekonomik, universitete serioze dhe jetë më të mirë për të gjithë” potencon rektori Musaj.
Duke u fokusuar në rrjedhat aktuale në Universitetin e Mitrovicës, ai thotë se konsolidimi i shpejtë si institucion i arsimit të lartë, sukseset e studentëve dhe përkushtimi i stafit akademik e administrativ, u japin kuptim festave, posaçërisht përvjetorëve të Pavarësisë së Kosovës.