Aktivitete të shumta për 3-vjetorin e themelimit të Universitetit të Mitrovicës
Me rastin e 3-vjetorit të themelimit të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), Parlamenti i Studentëve ka organizuar aktivitete të shumta për ta shënuar këtë përvjetor. Aktivitetet që kanë nisur të premten me një prezantim të programeve studimore dhe mundësive që ofron UMIB-i për të rinjtë që duan të studiojnë në këtë Universitet, do të zgjasin tri ditë radhazi.
Kryetari i Parlamentit të Studentëve, Fitim Latifaj, tha se të premten kanë organizuar një lloj panairi me nxënës të shkollave të mesme të qytetit, të cilët janë njoftuar për punën që bëhet në këtë Universitet. “Nxënësit e shkollave të mesme kanë pasur rastin që të shohin për së afërmi laboratorët, kabinetet dhe punën praktike që kryhet në fakultetet e Universitetit tonë”, tha ai.
Studentët e organizuar nga secili fakultet për këtë aktivitet, i ka vizituar edhe rektori i UMIB-it, Alush Musaj. Ai i ka uruar studentët për 3-vjetorin e Universitetit, duke i vlerësuar aktivitetet e tyre si një gjetje kreative për shënimin e këtij përvjetori. Rektori Musaj, ka premtuar mbështetje për aktivitetet studentore në të mirë të rritjes së cilësisë së punës së përgjithshme në Universitet. “Bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet studentëve dhe stafit menaxhues e profesorëve është mënyra më e mirë për ta bërë një universitet të suksesshëm”.
Aktivitetet e studentëve do të vazhdojnë edhe të shtunën, ku fillimisht do të mbillen fidane të reja në oborrin e UMIB-it, mandej do të realizohen vizita në Kompleksin Përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz dhe në Kullat e heroit Isë Boletini në Boletin, ndërsa që më vonë do të mbahet edhe një debat me temë “Të arriturat dhe sfidat e UMIB-it për tri vite”.
Aktivitetet për shënimin e 3-vjetorit të themelimit të UMIB-it, do të përmbyllen të dielën me organizimin e mbrëmjeje argëtuese për studentë.
Ndryshe duke u bazuar në traditën mbi 50 vjeçare të arsimit të lartë në Mitrovicë, Qeveria e Republikës së Kosovës me datën 06.03.2013 ka themeluar Universitetin Publik të Mitrovicës, kurse Kuvendi i Kosovës me datën 31 maj 2013 ka ratifikuar vendimin. Në bazë të Statutit të Përkohshëm, miratuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në kuadër të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”(UMIB) funksionojnë gjashtë fakultete: Fakulteti i Gjeoshkencave (FGJT), Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore (FTU), Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike (FIMK), Fakulteti Juridik (FJ), Fakulteti Ekonomik (FE) dhe Fakulteti i Edukimit (FE).