Profesorë nga Universiteti i Mitrovicës hartojnë strategji për “Trepçën”
Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, ka pritur të hënën në takim një grup të profesorëve të këtij universiteti, të cilët kanë ndërmarrë një nismë për hartimin e strategjisë për zhvillimin e ndërmarrjes “Trepça”. Grupi i profesorëve që ishin në vizitë, Nagip Murati, Asllan Vitaku dhe Bajram Mustafa, të cilët shoqëroheshin edhe nga dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, Naser Peci, e njoftuan rektorin për aktivitetet e tyre sa i përket hartimit të strategjisë për të ardhmen e “Trepçës”.
Ata gjithashtu janë pjesë edhe e përgatitjes së Ligjit për “Trepçën” që duhet të kryhet deri në nëntor të këtij viti nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Profesorët e pranishëm në takim shfaqën shpresën së strategjia e tyre do të përfundoj deri në muajin qershor apo korrik të këtij viti.
Gjatë kësaj kohe, ata janë duke zhvilluar takime, debate dhe konsultime të shumta në mënyrë që të hartojnë një strategji sa më gjithëpërfshirëse për “Trepçën”. Ata e njoftuan rektorin se në punën e tyre kanë mbështetjen dhe janë në koordinim edhe me menaxhmentin e ndërmarrjes.
Në anën tjetër, rektori Musaj, i ka përgëzuar për punën e tyre, duke pasur parasysh rëndësinë e ndërmarrjes “Trepça” sa i përket zhvillimit ekonomik. “Duke qenë se jeni të lidhur për vite të tëra me “Trepçën”, ju jeni njerëz më kompetentë për hartimin e strategjisë zhvillimore për këtë ndërmarrje”, tha ai.
Rektori Musaj, tha se Universiteti i Mitrovicës i jep mbështetje këtij grupi profesorësh, të cilët kanë ndërmarrë një nismë shumë të qëlluar dhe të nevojshme.