GIZ-i vazhdon mbështetjen për QZHK-në
GIZ – i do të vazhdojë mbështetjen për Qendrën për Zhvillim të Karrierës (QZHK) në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) edhe në të ardhmen. Kështu u zotuan Ramadan Islami e Nexhmedin Basha nga GIZ- i, të cilët të hënën u pritën në takim nga rektori, prof.dr.Alush Musaj dhe udhëheqësi i QZHK, Alban Fazliu.
Në takim u bisedua për nevojat që ka QZHK-ja sa i përket kapaciteteve humane dhe infrastrukturës. Palët u dakorduan për bashkëpunim në të mirë të zhvillimit të kësaj qendre, e cila do të jetë në shërbim të studentëve.
Rektori Musaj, falënderoi “GIZ-in” për mbështetjen e vazhdueshme për QZHK, duke mundësuar edhe organizimin e aktiviteteve të ndryshme për studentë, qoftë trajnime, seminare etj. “Ne jemi të gatshëm që të bëjmë krejt çka është e mundur për ta bërë QZHK-në sa më funksionale”, tha ai.
U bisedua edhe për aktivitetet që pritet të organizohen nga GIZ-i dhe QZHK-ja gjatë këtij viti akademik. Një prej tyre do të jetë Panairi i Karrierës, që është një aktivitetet tepër i rëndësishëm për studentët.