Nis projekti për mbjelljen e fidanëve në oborrin e UIBM
Tetë fidanë të rinj të një lloji të përzgjedhur nga ekspertët janë mbjellur të premten në kampusin universitar me rastin e 8-vjetorit të themelimit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM). Pjesë e këtij projekti për mbjelljen e fidanëve të rinj në oborrin e kampusit fillimisht në mënyrë simbolike u bënë: Rektori, Alush Musaj, prorektorët: Merita Shala, Ajtene Avdullahi dhe Behxhet Shala, dekanët: Naser Peci, Milaim Sadiku, Qazim Tmava si dhe sekretari i përgjithshëm, Xhelal Smakiqi.
Rektori Musaj, tha se është caktuar një hapësirë e caktuar brenda kampusit ku të gjithë të interesuarit, ata që janë pjesë e UIBM dhe qytetarët mund ta mbjellin drurin e vet dhe të përkujdesen për të. “E filluam një projekt në të mirë të ambientit, mandej edhe në të mirë të ofrimit të qytetarëve me kampusin universitar”.
Sipas tij, tash e tutje të gjithë ata që duan mund ta mbjellin një fidan në këtë hapësirë, janë të mirëseardhur ta bëjnë këtë duke respektuar kriteret e caktuara për llojin e tij, madhësinë etj. “Shpresojmë që ky projekt të ngjall interes dhe të vazhdoj”, tha ai.
Për procedurat dhe mundësitë e mbjelljes së fidanëve të interesuarit duhet të orientohen në UIBM, ku do të marrin sqarimet e nevojshme.