U mbajt Akademi Përkujtimore për: Prof.dr. Mursel Rama, Prof. Riza Haziri, Prof.dr. Blerim Baruti dhe Prof.asoc.dr. Ali Sadiku
Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) të premten u mbajt Akademi Përkujtimore kushtuar profesorëve të ndjerë: Prof.dr. Mursel Rama, Prof. Riza Haziri, Prof.dr. Blerim Baruti dhe Prof.asoc.dr. Ali Sadiku. Përveç drejtuesve të UIBM-së, të pranishëm ishin edhe familjarë, kolegë miq dhe punëtorë e studentë.
Për secilin nga profesorët e ndjerë u mbajt një fjalë rasti kushtuar jetës dhe veprës së tyre. Për jetën e profesorit, Mursel Rama, foli prodekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, prof.dr. Muharrem Zabeli, për profesorin, Riza Haziri, foli doktori i historisë, Miftar Kurti, për profesorin, Blerim Baruti, një fjalë rasti e mbajti, prof.dr.Valdet Gjinovci, ndërsa për jetën dhe veprën e profesorit, Ali Sadiku, foli dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, prof.dr.Naser Peci.
Të pranishmëve gjithashtu ju drejtua rektori, prof.dr. Alush Musaj, i cili vlerësoi lartë jetën dhe veprën e profesorëve. “Jemi jashtëzakonisht të nderuar, që profesorët: Mursel Rama, Riza Haziri, Blerim Baruti dhe Ali Sadiku, ishin pjesë e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë. Në të njëjtën kohë ndjejmë thellë pikëllimin dhe dhimbjen që nuk janë në mesin tonë”.
Ai theksoi se pandemia nuk i ka lejuar që me kohë të organizoheshin për të nderuar jetën dhe veprën e profesorëve të UIBM-së, me një aktivitet të ngjashëm, por assesi nuk mund të lejonin që në rrethana më të lehtësuara të mos bëheshin bashkë në përkujtim të tyre.
Ai tha se profesorin, Mursel Rama, e kujton si një bashkëpunëtor dhe mik të jashtëzakonshëm. “Në pozitat e ndryshme që ka mbajtur në universitetin tonë kemi pasur bashkëpunim dhe mirëkuptim të vazhdueshëm. Ishte shumë i sinqertë, modest dhe i këndshëm. Mbi të gjitha kishte një qasje pozitive dhe vazhdimisht konstruktiv”.
Për profesorin, Riza Haziri, tha se ka njohur shumë më herët dhe ka pasur raporte miqësore. “Ai njihej për mik besnik dhe koleg shembullor. Gjithsesi një personalitet i respektuar në qytetin tonë edhe pozitat që ka mbajtur dhe për kontributin e tij sidomos si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Rektori Musaj tha se me profesorin, Blerim Baruti, ishin kolegë si mësimdhënës në të njëjtin fakultet. “Shquhej me urtësi dhe kulturë të jashtëzakonshme njerëzore. Nuk lodhej duke qenë korrekt në asnjë kohë. I tillë ishte me të gjithë, prandaj jam shumë krenar për të”.
Ndërsa për profesorin Ali Sadiku, theksoi se një mandat të plotë kanë punuar bashkë, duke qenë ai në pozitën e prorektorit. “Një njeri plotë kulturë. Nuk ka pasur asnjë herë të vetme që dikush prej stafit ka pasur qoftë edhe një ankesë në drejtim të tij. Gjithsesi edhe një mësimdhënës dhe punëtor i dalluar në universitetin tonë”.
Në fund rektori Musaj ndau mirënjohje postmortum për profesorët e ndjerë, të cilat u pranuan nga familjarët e tyre, të cilët gjithashtu mbajtën nga një fjalë rasti duke falënderuar UIBM për këtë organizim.