Fjala përkujtuese e dekanit të Fakultetit Ekonomik, prof.dr. Qazim Tmava me rastin e vdekjes së prof. Isa Tahiri
Lamtumira e fundit për profesorin, Isa Tahiri
Më 06.06.2022, morëm lajmin e trishtë mbi vdekjen e profesorit të respektuar të Fakultetit Ekonomik, në UMIB, profesor doktor Isa TAHIRIT. Profesori i ndjerë, shkoi në amshim në kulmin e karierës akademike, në moshën 64 vjeçare, duke lënë pas vetes një bagazh të madh të punës shkencore dhe akademike.
Të dashur kolegë, studentë të nderuar.
Vdekja e mori para kohe mikun tonë të cmuar, një pedagog i mrekullueshëm, profesor i pakrahasueshëm dhe studiues i thellë i ekonomisë, i cili kishte ende edhe shumë për të dhënë në edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj, por edhe për ne kolegët e tij.
Megjithatë emri i tij tashmë ka zënë vend në mesin e atyre që kujtohen dhe respektohen, derisa të studiohet në Fakultetin Ekonomik, në Univerzitetin ‘’Isa Boletini’’ dhe jo vetëm.
Vdekja e profesorit Tahiri, është humbje e madhe për të gjithë ne, por edhe detyrim i përhershëm yni, që të ruajmë dhe respektojmë kujtimin për Te, si pedagog brilant dhe njeri me virtyte të larta humane e ndershmërie.
Jemi shumë falendërues ndaj profesorit për njohuritë e bartura, pa ngurim, tek ne, si dhe kontributin e dhënë edhe në zhvillimin e fakutetit tonë. Fjala e tij e urtë, e thellë, ishte gjithmonë me peshë, vizionare, andaj përherë do të jetë e thadruar në kujtimet tona.
Për ne, kolegët e Fakultetit Ekonomik, profesorë dhe studentë, ishte dhe do të mbetet përherë marathonomaku i palodhur i dijes, urtisë dhe këshillës pa kushte.
Prehu në paqen e përjetshme, profesor!
Lamtumirë!