Përfundoi me sukses punëtoria për trajtimin e ujërave të zeza
Ka përfunduar me sukses punëtoria për trajtimin e ujërave të zeza, që është mbajtur në laboratorët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore të Universitetit “Isa Boletini”, prej 17-28 tetor 2016. Pjesëmarrësve në u janë ndarë certifikata në fund të kësaj punëtorie që është organizuar nga Universiteti “Isa Boletini”, Universiteti “Van Hall Larenstein” dhe Universiteti “Avans” nga Holanda, kompania “Bulmeti” dhe Shoqata e ekspertëve holandez “PUM”.
Duke qenë se ligjëruesit ishin ekspertë nga Holanda, interesimi ka qenë shumë i madh për këtë punëtori. Përveç profesorëve dhe studentëve, kanë marrë pjesë edhe zyrtarë nga Ujësjellësi, mandej nga industria e qumështit etj.
Interesim ka zgjuar jashtëzakonisht eksperimenti për prodhimin e biogazit nëpërmjet trajtimit të ujërave të zeza. Pjesëmarrësit gjithashtu kanë parë edhe përvojat e trajtimit të ujërave të zeza në kampin ushtarak “Bondsteel”.
Prorektori për Marrëdhënie me Jashtë në Universitetin “Isa Boletini”, Rifat Morina, i cili ka qenë edhe koordinator i kësaj punëtorie, tha se ideja është që kjo punë e nisur të vazhdoj. “Jemi duke punuar që të hapim një program të veçantë për trajtimin e ujërave të zeza në kuadër të Universitetit “Isa Boletini”, meqë Kosova ka nevojë të madhe për ekspertë të kësaj fushe”, tha ai.