Marrëveshje bashkëpunimi me OJQ “Premisa”
Me qëllim të krijimit të mundësive më të mëdha për studentë sa i përket përcaktimit në karrierë dhe çështje të tjera me interes, Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) do të bashkëpunojë me OJQ “Premisa”. Për të përcaktuar fushat e bashkëpunimit ndërmjet UIBM dhe OJQ “Premisa”, të enjten u nënshkrua edhe një Memorandum Bashkëpunimi nga rektori, prof.dr. Alush Musaj dhe drejtori i OJQ, mr.sc. Ramadan Beshiri.
Memorandumi synon të promovojë përpjekjet e përbashkëta të dy UIBM dhe OJQ “Premisa” në sferën e avancimit të çështjeve me interes reciprok. Palët do të bashkërendojnë aktivitetet për afirmimin e çështjeve aktuale në fushën e avancimit të jetës akademike dhe profesionale.
Kjo mëtohet të bëhet nëpërmjet bashkëpunimit në zhvillimin e moduleve dhe programeve të ndryshme të studimit, realizimit të punës praktike për studentë, shkëmbimit të përvojave, ekspertëve dhe literaturës përkatëse. Gjithashtu parashihet organizimi i aktiviteteve të përbashkëta shkencore dhe profesionale si: simpoziume, seminare, konferenca, tryeza, shkolla verore, trajnime etj.
Ndër të tjera në kuadër të Memorandumit parashihet që OJQ “Premisa”, të përgatisë dhe organizojë së paku një sesion informues në vit për studentë për t’i informuar mbi thirrjen për aplikim në programin e organizatës, ndërsa UIBM do të ofrojë hapësirat për aktivitete të organizatës sipas kërkëses.