Viti i gjashtë pa asnjë vërejtje nga auditori për Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë
Për të gjashtin vit me radhë nuk ka të gjetura dhe rekomandime nga auditori për Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM). Kjo është konfirmuar nga raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore (2022) për Ministrinë e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), gjegjësisht për nënprogramet që funksionojnë në kuadër të kësaj ministrie, pjesë e të cilës është edhe UIBM.
Rektori, prof.dr. Alush Musaj, tha se tashmë është krijuar një traditë e menaxhimit të mirë në këtë institucion. “Me këtë rast dua ta përgëzoj Drejtorinë për Buxhet dhe Financa dhe të gjithë punëtorët e administratës për punën e tyre profesionale”, tha ai. Lajmin e ka mirëpritur edhe sekretari i përgjithshëm në UIBM, Avdyl Beqiri, i cili e vlerësoi profesionalizmin dhe përkushtimin e stafit administrativ.
Ndërsa, drejtori për Buxhet dhe Financa, Besim Kurti, tha se edhe këtë herë auditori nuk ka të gjetura dhe rekomandime për UMIB-in. Sipas tij, procesi i auditimit në UIBM është kryer në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (SNISA).
Ai sqaroi se sipas këtyre standardeve është prezantuar dhe kontrolluar dokumentacioni i kërkuar duke dhënë mundësinë e konsultimeve të përgjegjësve që mbulojnë fushat që ishin objekt i kontrollit. “Dosjet e kërkuara ishin të mjaftueshme që auditori i përgjithshëm të jep opinion profesional lidhur me menaxhimin financiar”, tha ai.
Kurti bëri të ditur se objekt i kontrollit ishin: planifikimi, menaxhimi, shpenzimet, burimi i të hyrave dhe kontrolli financiar i aktiviteteve të realizuar në të gjitha kategoritë ekonomike.