MBP8665

Filloi punimet “Konferenca V Ndërkombëtare Multidiciplinare për Gjeoshkencë”

Ka filluar të enjten në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM)  “Konferenca V Ndërkombëtare Multidiciplinare për Gjeoshkencë”, e cila zgjat dy ditë. Konferenca organizohet nga Fakulteti i Gjeoshkencave në UIBM në bashkëpunim me Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, Ministria e Ekonomisë: Departamenti i Minierave  dhe Shërbimi Gjeologjik i Kosovës.

Konferencën e ka shpallur të hapur rektorja e UIBM, prof.asoc.dr. Merita Shala, e cila ju uroi mirëseardhje hulumtuesve shkencorë dhe mysafirëve nga vendi dhe bota. “Kjo konferencë paraqet një ngjarje të rëndësishme për universitetin tonë, por duke qenë se ka karakter ndërkombëtar gjithsesi është edhe një aktivitet i shënuar në kalendarin shkencor jo vetëm në vend, por edhe më gjerë”, tha ajo.

Kjo konferencë, theksoi rektorja Shala, figuron edhe në listën e aktiviteteve vjetore nga Shërbimi Gjeologjik Evropian, duke shpërfaqur seriozitetin e këtij organizimi. Ajo falënderoi bartësit e organizimit prej edicionit të parë dhe i përgëzoi ata për punën dhe përkushtimin e tyre që konferenca të mbahet çdo vit.

Ajo shprehu kënaqësinë që tradita e zhvillimit të gjeoshkencës po vazhdon në Mitrovicë, përderisa Universiteti “Isa Boletini” është bërë pikë reference për studiuesit dhe shkencëtarët e kësaj fushe nga vendi, rajoni dhe bota. “Shpreh kënaqësinë që jemi bashkë këtu për dy ditë, për të prezantuar punën tonë dhe hulumtimet tona të fundit në fushën e gjeoshkencës”, shtoi Shala.

Ndërsa, koordinatori i konferencës, prof.asoc.dr. Sabri Avdullahi, i cili bëri të ditur se gjatë dy ditëve do të prezantohen gjithsej 19 punime. “Në mesin e atyre që do të prezantohen me punimet e tyre, përveç nga vendi ka studiues nga Kanadaja, Afrika e Jugut, Sllovenia etj., tha ai”.

Me një fjalë rasti të pranishmëve ju ka drejtuar edhe dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, prof.asoc.dr. Festim Kutllovci. Ai tha se kjo konferencë ofron mundësi që të paraqiten idetë dhe zbulimet e reja, duke nxitur njëri-tjetrin për të mbrojtur kualitetin jetësor, duke menaxhuar një zhvillim të qëndrueshëm të  resurseve minerale  që është një proces i rëndësishëm për ekonominë dhe industrinë e një vendi.

Në ceremoninë hyrëse të pranishmit i ka përshëndetur edhe zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Getoar Mjeku. Ai foli për rëndësinë e kësaj konference në zhvillimin e gjeoshkencës si dhe përmendi disa hapa të ndërmarrë nga qeveria për zhvillimin e industrisë minerare në Kosovë.

Konferenca ka vazhduar punën në grupe ku kanë filluar prezantimet e punimeve shkencore. Në ditën e dytë të konferencës, do të zhvillohen vizita studimore në minierat e vendit.

 MBP8579