Shqyrtohen mundësitë për aktivizimin e mini-impianteve të prodhimit të gjërave ushqimore në FTU
Me qëllim të ngritjes dhe përmirësimit të të mësuarit praktik, FTU po shqyrton mundësin e organizimit të aktiviteteve të përbashkëta me IADK për aktivizimin e mini-impianteve të prodhimit të gjërave ushqimore në FTU. Me këtë rast po shqyrtohet mundësia e sjelljes së ekspertëve gjerman përmes IADK-së për aktivizimin e këtyre impianteve dhe trajnimin e stafit akademik.
Në këtë kuadër u mbajt takimi mes dekanit të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, prof.asoc.sr. Mensur Kelmendi dhe prof. ass. Bahtir Hyseni me drejtorin ekzekutiv të IADK, Zenel Bunjaku. Dekani shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm dhe shpalosi idenë e sjelljes së eksperteve gjerman përmes IADK-së për aktivizimin e mini-impianteve për prodhimin e produkteve ushqimore me theks të shtuar në produktet e qumështit, mishit, pemëve dhe perimeve dhe atyre konditore.
Ndërsa drejtori i IADK-së, Zenel Bunjaku, shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm dhe u zotua për shqyrtimin e mundësisë së sjelljes së ekspertëve gjerman nga organizata Senior Expert Service në FTU. Të dy palët u dakorduan për bashkëpunim në sferën e projekteve Erasmus+.