DAAD prezantoi mundësitë për studime në universitetet gjermane
Zyrtarë të Shërbimit për Shkëmbime Akademike Gjermane (DAAD), kanë mbajtur të mërkurën një sesion informues në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, ku kanë prezantuar mundësitë e studimeve në universitetet gjermane. Të pranishëm në këtë sesion ishin mësimdhënës, zyrtarë të administratës dhe studentë.
Paraprakisht, delegacionin nga Ambasada Gjermane në Prishtinë, të udhëhequr nga Christian Böttcher, e ka pritur u.d. rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva e shoqëruar nga dekani i Fakultetit Juridik, prof.asoc.dr. Islam Qerimi. Në takim u bisedua për mundësitë që ofron DAAD për studentët dhe mësimdhënësit që duan të studiojnë në universitetet gjermane.
Gjithashtu u shqyrtuan edhe mundësitë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me UIBM. U.d. rektorja Deva, i falënderoi përfaqësuesit e ambasadës gjermane për mundësitë e ofruara dhe gatishmërinë e vendosjes së një bashkëpunimi të rregullt nëpërmjet një marrëveshjeje bashkëpunimi.