Rek

Prof.dr. Nurten Deva u zgjodh rektore e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë

Në mbledhjen e Këshillit Drejtues (KD) që u mbajt të premten, prof.dr. Nurten Deva, u zgjodh rektore e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM). Prof.dr. Deva, e cila punon si mësimdhënëse në Fakultetin e Gjeoshkencave në UIBM, ka marrë katër vota nga gjashtë anëtarë të pranishëm në mbledhje, prej shtatë sa janë gjithsej.

Në paraqitjen para anëtarëve të KD-së, prof.dr. Nurten Deva, tha se plani 2024-2027 për UIBM është një bazë e platformës së qëndrueshme për ngritjen e cilësisë në mësimdhënie, zhvillimin për kërkime shkencor, inovacion si dhe ofrimin e shërbimeve për komunitet. “Vizoni i përmbledhur lidhur me UIBM është që të krijojë një mjedis të punës që shquhet për ngritje të cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie, ngritje të kapaciteteve për punë hulumtuese, bashkëpunim ndërkombëtar më të madh, rrjetëzimin e UIBM  si dhe shërbime për komunitetin”, tha ajo.

Deva, përveç si mësimdhënëse ka mbajtur edhe pozita të ndryshme në kuadër të UIBM. Ka qenë anëtare e KD-së dhe së fundi ushtruese e detyrës së rektores. Ajo ka doktoruar në Shkenca Teknike të Metalurgjisë në Universitetin e Prishtinës, ka një numër të madh të punimeve shkencore dhe njeh tri gjuhë të huaja.

Në garë për rektor/e të UIBM ishin edhe tre kandidatë të tjerë: Prof.dr. Ejup Fejza (nuk mori pjesë në intervistë) si dhe prof.dr. Izet Zeqiri dhe prof.dr. Naser Pajaziti.  Deva është zgjedhur rektore për mandatin e mbetur 2024-2027.