Juridik

Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet Fakultetit Juridik dhe Institutit të Studimeve Politike (ISP), Tiranë

Fakulteti Juridik i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë do të bashkëpunojë me “Institutin e Studimeve Politike (ISP), Tiranë. Për këtë qëllim sot është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit nga Dekani i Fakultetit Juridik, prof. asoc. dr. Islam Qerimi dhe Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike, (Tiranë), prof. dr. Afrim Krasniqi.

Marrëveshja e Bashkëpunimit e lidhur mes palëve nënshkruese ka për qëllim mbështetjen reciproke për nxitjen dhe për të kontribuar në studimet mbi çështjet e shtetit të së drejtës, edukimit ligjor dhe demokratik, si dhe veprimeve të tjera me interes të përbashkët si dhe nxitjen e shkëmbimeve të eksperiencave sipas objektit të veprimtarisë së tyre, pa cenuar misionet e tyre respektive. Ata kanë rënë dakord që të fillojnë dhe institucionalizojnë bashkëpunimin në respekt të forcimit te shkëmbimeve të edukimit midis institucioneve dhe me fokus kryesor shkëmbimet shkencore, aktivitetet e përbashkëta, asistimin/sigurimin e kushteve për kryerjen e praktikës mësimore e profesionale të studentëve, si dhe shkëmbimit të eksperiencës dhe shfrytëzimit të kapaciteteve të përbashkëta njerëzore dhe teknike, nëpërmjet projekteve dypalëshe. Forcimi i këtij bashkëpunimi do të përfshijë angazhimin me ekspertizën profesionale dhe akademike për të kontribuar në:

  1. shpërndarjen dhe shkëmbimin e publikimeve dhe informacioneve në fushat specifike të studimeve dhe hulumtimeve të përfshira në këtë marrëveshje dhe në çdo fushë tjetër me interes përkatës për palët e nënshkruese të marrëveshjes;
  2. mundësimin për pjesëmarrje të studentëve në projekte kërkimore dhe për të kryer praktikën mësimore në frymën e një mirëkuptimi reciprok, me vullnet pozitiv për të siguruar kushtet e nevojshme për realizimin e plotë dhe cilësor të saj pjesëmarrje në programe të ndryshme trajnimi dhe aktivitete;
  3. hartimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkët profesionale dhe sigurimin e ekspertizës në fushat e interesave përkatëse të shfaqura, dhe
  4. shkëmbimin e eksperiencave ndërmjet anëtarëve të stafit kur konsiderohet se ekzistojnë eksperienca të nevojshme dhe profesionale me interes nga palët nënshkruese të marrëveshjes.