Juridik

Në Fakultetin Juridik u organizua Sesion informativ për Gjykatën Komerciale

Dekani i Fakultetit Juridik, prof. asoc. dr. Islam Qerimi, në bashkëpunim me Koordinatoren e Eventeve nga Programi i USAID-it, Drejtësia Komerciale, Fjolla Latifi, kanë organizuar një Sesion Informativ me temë: “Shpalosja e Profesionalizmit të Gjyqtarëve të Gjykatës Komerciale” për stafin dhe studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM).

Në këtë sesion morën pjesë gjyqtarja pranë Gjykatës Komerciale, Znj. Verona Dibra, Zëvendësdrejtori i Programit të USAID-it, Qemajl Marmullakaj, si dhe Fjolla Latifi, Koordinatore e Eventeve nga Programi i USAID-it Drejtësia Komerciale. Përpos studentëve të këtij Fakulteti dhe mysafirëve tjerë, të pranishëm ishin edhe prof. ass. dr. Arbnor Ajeti, prodekan i Fakultetit Juridik, prof. ass. dr. Mimoza Aliu, si dhe asistentët Xhemajl Veliqi dhe Argjend Behrami.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte informimi i stafit dhe studentëve në lidhje me themelimin e Gjykatës Komerciale, si dhe për zhvillimet dhe reformat në drejtësinë komerciale. Gjatë sesionit, gjyqtarja Verona Dibra prezantoi punën e suksesshme të Gjykatës Komerciale në zgjidhjen e lëndëve gjyqësore për periudhën dyvjeçare, që prej themelimit të saj. Më pas u zhvillua një diskutim i hapur, ku të pranishmit shtruan pyetje në lidhje me rritjen e efikasitetit dhe cilësisë, si dhe për vështirësitë që po haset ende kjo Gjykatë.

Në fund të sesionit, dekani Qerimi falënderoi panelin organizativ për përkushtimin e tyre në organizimin e aktivitetit në Fakultetin e tyre, si dhe gjyqtaren Verona Dibra dhe të gjithë pjesëmarrësit tjerë. Ai gjithashtu propozoi që sesione të tilla të organizohen më shpesh dhe të mundësohet pjesëmarrja e studentëve në praktikën profesionale në këtë Gjykatë të re.