U promovua libri “Rexhep Qosja për Adem Demaçin”, i autorit, Selatin Novosella
U promovua të premten në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) libri “Rexhep Qosja për Adem Demaçin”, i autorit, Selatin Novosella. Të pranishëm në promovim ishin edhe rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva, sekretari i përgjithshëm, Avdyl Beqiri, anëtarë të Këshillit Drejtues, dekanë, mësimdhënës, stafi i administratës, mysafirë etj.
Në emër të UIBM, foli drejtori për Informim dhe Komunikim me Publikun, Ahmet Jashari, i cili falënderoi të pranishmit që janë bërë pjesë e këtij promovimi. “Padyshim se është bukur të jesh pjesë e një ngjarje të këtillë, në një sallë me dashamirës të librit, për çka e falënderojmë autorin e librit, z. Novosella, që ka zgjedhur universitetin tonë për promovimin e librit të tij”, tha ai.
Jashari tha se autori, Selatin Novosella, ka përmbledhur në një libër shkrimet e Rexhep Qosjes për Adem Demaçin, për të vënë në spikamë dy personalitete të mëdha të botës shqiptare. “Është paksa e pazakonshme që figura të shquara të një kombi, për më tepër bashkëkohanik dhe për më tepër shqiptarë ta kenë një respekt reciprok sikur që kishin Demaçi dhe Qosja”.
Për përmbajtjen e librit folën, profesori, Fazli Hajrizi dhe Ismet Hajrullahu, të cilët vlerësuan se është bërë një punë e jashtëzakonshme nga autori. Fregmente nga libri lexoi nxënësja, Rozafa Hajrizi, kurse krejt në fund autori i librit, solli momente interesante nga koha që ka kaluar me Adem Demaçin si dhe falënderoi të pranishmit që ishin pjesë e kësaj ngjarjeje.