DJI 002311

Viti i shtatë pa asnjë vërejtje nga auditori për Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë

Për të shtatin vit me radhë nuk ka të gjetura dhe rekomandime nga auditori për Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM).  Kjo është konfirmuar nga raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore (2023) për Ministrinë e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), gjegjësisht për nënprogramet që funksionojnë në kuadër të kësaj ministrie, pjesë e të cilës është edhe UIBM.

Lajmin e ka mirëpritur rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva, e cila vlerësoi profesionalizmin dhe përkushtimin e stafit administrativ. “Me këtë rast dua t’i përgëzoj fillimisht drejtuesit dhe zyrtarët e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa si dhe gjithë mekanizmat e UIBM për punën e tyre profesionale”, tha ajo.

Sekretari i përgjithshëm, Avdyl Beqiri, tha se tashmë është krijuar një traditë e menaxhimit të mirë financiar në këtë institucion, ndërsa u.d. drejtori për Buxhet dhe Financa, Burim Hasani, theksoi se procesi i auditimit në UIBM është kryer në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (SNISA) dhe auditori nuk ka të gjetura dhe rekomandime për UMIB-in.

Hasani, i cili është edhe koordinator për çështje audituese në UIBM, sqaroi se sipas këtyre standardeve është prezantuar dhe kontrolluar dokumentacioni i kërkuar duke dhënë mundësinë e konsultimeve të përgjegjësve që mbulojnë fushat që ishin objekt i kontrollit. “Dosjet e kërkuara ishin të mjaftueshme që auditori i përgjithshëm të jep opinion profesional lidhur me menaxhimin financiar”, tha ai.