Provimi1

871 kandidatë kanë aplikuar për të studiuar në UIBM në vitin akademik 2024/25

Pas përfundimit të provimeve pranuese nëpër njësi akademike, të martën janë shpallur rezultatet preleminare të kandidatëve që janë pranuar për të studiuar (niveli baçelor) në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) në vitin akademik 2024/25. Për 840 vende që janë shpallur në konkurs, gjithsej kanë aplikuar 871 kandidatë.

Në Fakultetin e Gjeoshkencave kanë aplikuar 101 kandidatë, në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore 170, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike 417, në Juridik 87 dhe në Ekonomik 96. Programi më i kërkuar ka qenë ai i Shkencave Kompjuterike dhe  Inxhinieri ku kanë aplikuar gjithsej 253 kandidatë.

Pas afatit të ankesave, të mërkurën dhe të enjten (31 korrik dhe 1 gusht), të premten (2 gusht 2024) do të shpallën edhe rezultatet përfundimtare. Sa për sqarim në programin Metariale dhe Metalurgji konkursi mbetet i hapur deri më 3 gusht 2024.

Përndryshe të gjitha programet e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), tetë sosh,  për të cilat është aplikuar për riakreditim në Agjencinë Kosovare të Akreditimit (AKA), kanë marrë përgjigje pozitive. Janë riakredituar pesë programe në nivelin baçelor: 1. Juridiku (3 vjet), Gjeologjia (5 vjet), Inxhinieri Ekonomike (3 vjet), Inxhinieri Mekanike (Makineri Prodhuese) (3 vjet), si dhe Materiale dhe Metalurgji  (3 vjet).

Ndërsa në programin master janë riakredituar tri programe: Materiale dhe Metalurgji  (3 vjet), Hidrologji dhe Gjeologji Inxhinierike (3 vjet), si dhe Inxhinieri dhe Teknologji Ushqimore në nivelin master (5 vjet).