1212

U hap ekspozita e personave me aftësi të kufizuara

Në hollin e Rektoratit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë është hapur të premten ekspozita e personave me aftësi të kufizuar, që ka për qëllim ngritjen e vetëdijesimit të shëndetit mendor dhe parandalimin e vetëvrasjeve. Ky aktivitet është mbajtur nga OSHC “Së bashku”, në kuadër të Programit Rajonal për Demokracinë Lokale në Ballkanin Perëndimor 2 (Reload2), që financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në partneritet me Komunën e Mitrovicës së Jugut.

Në ceremoninë e hapjes, ishin të pranishëm drejtues dhe përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, të shoqërisë civile dhe mysafirë të tjerë si dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës. Organizatorët falënderuan të pranishmit dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur këtë aktivitet.

Rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva, tha se përfshirja e disa institucioneve dhe organizatave në këtë fushatë sigurisht që ia shton seriozitetin edhe kësaj ekspozite, që për qëllim ngritjen e vetëdijesimit të shëndetit mendor dhe parandalimin e vetëvrasjeve. “Dhe kur jemi këtu, duhet ta potencojmë faktin se kjo është edhe një mundësi e mirë që ofrohet edhe për studentët tanë që të përfitojnë nga aktivitete të tilla”, tha ajo.

Sipas rektores, tema e trajtuar në ekspozitë është shumë aktuale, duke pasur parasysh ngjarjet e rënda që janë duke ndodhur në shoqëri, si vetëvrasje, mandej raste të rënda edhe në familje etj. “Në këtë kontekst, ndërmarrja e hapave parandalues është imperativ më shumë se kurrë”.

 

1