Profesorë dhe studentë nga Universiteti i Lundit në Suedi vizituan UIBM
Rektorja e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), prof.dr. Nurten Deva e shoqëruar nga prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, prof.asoc.dr. Edita Bekteshi dhe prorektori për Zhvillim Akademik dhe Cilësi, prof.dr. Sabri Avdullahi, kanë pritur të mërkurën në takim një grup profesorësh dhe studentësh nga Universiteti i Lundit në Suedi. Në takim u shqyrtuan mundësitë për vendosjen e bashkëpunimit në kuadër të një projekti që mbështetet nga ambasada suedeze në Kosovë për mbështetjen e ideve novative.
Në grupin që vizituan UIBM ishin edhe përfaqësues të “7 Arteve”, UN-Habitatit, Anibarit etj, të cilët janë të përfshirë në këtë projekt. Lulzim Hoti nga “7 Arte”, tha se ideja është me vendos bashkëpunimin e universiteteve, bizneseve dhe shoqërisë civile, me qëllim të gjetjes së ideve novative që do të shpërndahen në komunitet e të cilat do të shërbenin si model për qytetet dhe universitetit tjera.
Rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva, i ka falënderuar për vizitën dhe mundësitë e ofruara për bashkëpunim në kuadër të këtij projekti. “E vlerësojmë nisëm tuaj dhe jemi të gatshëm për t’u përfshirë si një mundësi jo vetëm e bashkëpunimit, por edhe e kontributit konkret për komunitetin akademik dhe shoqërisë në përgjithësi”, tha ajo.