111

Ka filluar punën  “Konferenca Ndërkombëtare Multidiciplinare në  Gjeoshkencë”

Ka filluar të enjten në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UMIB), edicioni i gjashtë i “Konferencës Ndërkombëtare Multidiciplinare në  Gjeoshkencë”. Në këtë edicion po marrin pjesë gjithsej rreth 70 studiues, prej të cilëve 10 nga universitetet ndërkombëtare.

Në hapje të konferencës, ishin të pranishëm drejtuesit e UIBM, drejtues dhe përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore dhe mysafirë të tjerë. Konferenca organizohet nga Fakulteti i Gjeoshkencave në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Shërbimi Gjeologjik i Kosovës.

Konferencën e ka hapur koordinatori, Gzim Ibishi, ndërsa pas tij fjalën e ka marrë dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, prof.asoc.dr. Festim Kutllovci. Ai tha se kjo konferencë është një mundësi e shkëlqyer për të përfituar nga njohuritë dhe përvoja në sektorin minerar dhe fushat e ndërlidhura. “Kjo konferencë shërben si një platformë për të shkëmbyer njohuri dhe ide që mund të çojnë në përmirësimin e mëtejshëm të sektorit minerar dhe të ekonomisë sonë në tërësi”.

Në emër të UIBM, rektorja, prof.dr. Nurten Deva, ju ka uruar mirëseardhje të pranishmëve dhe ka shprehur kënaqësinë që shkenca ka bashkuar kaq shumë studiues dhe mysafirë në Mitrovicë. Ajo theksoi se përkundër sfidave kjo konferencë ka vazhduar dhe po vazhdon të sjell në qendër të vëmendjes të rejat nga fusha e gjeoshkencave, si një mundësi e jashtëzakonshme e shkëmbimit të përvojave nga puna dhe hulumtimet shkencore. “Me këtë rast dua të përgëzoj dhe vlerësoj angazhimin e të gjithëve që e kanë mundësuar vazhdimin e kësaj konference”.

Në emër të Këshillit Drejtues të UIBM, ka folur zëvendëskryesuesi, profesori. Avni Islami, i cili tha se ngjarjet si kjo, përveç mundësisë për prezantimet shkencore, njëkohësisht e rrisin prestigjin e institucionit. “Dhe kjo nuk ka si të jetë ndryshe, duke parë praninë tuaj sot këtu në ceremoninë e hapjes së konferencës, shkencëtarë nga vendi dhe bota, personalitete të jetës shkencore dhe publike”.

Në hapje të Konferencës kanë folur edhe Skënder Sallahi nga Ministria e Ekonomisë dhe Habib Basholli nga Komisioni për Miniera dhe Minerale. Pas pjesës hyrëse, është vazhduar me grupet e punës që kanë vazhduar me prezantimet e hulumtimeve të tyre. Konferenca vazhdon punimet edhe nesër.

 

2