Profesori i FIMK-ut, Berat Ujkani, mori pjesë në punëtorinë “Multi-Sector Cybersecurity TTX: Enhancing Cybersecurity in the Balkan Region”
Më 22-23 tetor 2024, në Podgoricë, Mali i Zi, u organizua workshopi dy-ditor “Multi-Sector Cybersecurity TTX: Enhancing Cybersecurity in the Balkan Region”, organizuar nga CRDF Global dhe mbështetur nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së. Ky aktivitet mblodhi së bashku përfaqësues nga qeveria, infrastruktura kritike, sektori privat dhe akademia për të adresuar sfidat e përbashkëta në sigurinë kibernetike në rajon.
Profesori Berat Ujkani, nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike pranë Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, mori pjesë në këtë event duke ndarë perspektivat akademike dhe duke forcuar bashkëpunimin me aktorë të tjerë për të ndihmuar në ndërtimin e aftësive të reja për adresimin e këtyre kërcënimeve.
Workshopi u fokusua në analizimin dhe kuptimin e kërcënimeve të avancuara kibernetike (APTs) që veprojnë në rajonin e Ballkanit, duke përfshirë teknikat e komprometimit dhe ndikimin e tyre mbi organizatat dhe infrastrukturën kritike. Pjesëmarrësit u angazhuan në aktivitete praktike dhe diskutime strategjike mbi zhvillimin e aftësive mbrojtëse dhe koordinimin ndërsektorial për t’u përgjigjur më mirë sulmeve kibernetike. Në mënyrë të veçantë, një vëmendje e veçantë iu kushtua përfshirjes së udhëheqjes në planifikimin dhe përgjigjen ndaj incidenteve.
Pjesëmarrja e Profesor Berat Ujkani thekson përkushtimin e Universitetit “Isa Boletini” në avancimin e sigurisë kibernetike dhe në promovimin e shkëmbimeve ndërkombëtare të ideve dhe përvojave.