F.jur 1

Marta Witkowska nga Polonia, u prit në Fakultetin Juridik në cilësinë e profesoreshës vizitore

Fakulteti Juridik i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe Fakulteti i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare i Universitetit të Varshavës kanë avancuar bashkëpunimin e tyre! Ky bashkëpunim ka filluar pas nënshkrimit të një memorandumi të bashkëpunimit, i cili tashmë po implementohet në praktikë. Fillimisht, ky bashkëpunim u konkretizua përmes ligjëratave online nga profesorët, dhe tani është zgjeruar edhe me shkëmbimin e stafit akademik.

Në vitin akademik të kaluar, Fakulteti i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare i Universitetit të Varshavës kishte ftuar dekanin e Fakultetit Juridik, Qerimin, në cilësinë e profesorit vizitor në këtë fakultet. Ndërsa tani, në vitin akademik 2024/2025, Fakulteti Juridik ka pritur profesoreshën Marta Witkowska nga Polonia, e cila do të qëndrojë në këtë fakultet si profesoreshë vizitore.

Pas një jave qëndrimi të profesoreshës Witkowska në Fakultetin Juridik, menaxhmenti dhe stafi i fakultetit organizuan një takim njoftues me të. Dekani Qerimi shprehu falënderime profesoreshës Witkowska për vullnetin dhe gatishmërinë që ka treguar për bashkëpunim me Fakultetin Juridik dhe për qëndrimin e saj në këtë cilësi gjatë vitit akademik 2024/2025. Gjatë këtij takimi, u trajtua gjithashtu agjenda e bashkëpunimit për gjatë qëndrimit të profesoreshës Witkowska në fakultet.

Po ashtu, profesori i Fakultetit Juridik, Zahir Çerkini, shprehu kënaqësinë për intensifikimin e këtij bashkëpunimi akademik ndërmjet dy fakulteteve dhe sugjeroi që ky bashkëpunim të finalizohet me ndonjë projekt të përbashkët. Profesoresha Witkowska shprehu gatishmërinë për këtë mundësi dhe u dakordua plotësisht me propozimin.

Për të shprehur mirëseardhjen, studentja e Fakultetit Juridik, Liridona Hyseni, i dhuroi profesoreshës Witkowska një buqetë lulesh.