4

Memorandum Bashkëpunimi me organizatën SHER

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë do të përfitojë mbështetje në aspekte të ndryshme nga Programi Sustainable Higher Education and Research in Kosovo (SHER). Me qëllim të specifikimit të mbështetjes të mërkurën është nënshkruar edhe një Memorandum Bashkëpunimi nga rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva dhe  udhëheqësi i SHER, Aqim Emurli.

Rektorja Deva, vlerësoi se ky është një fillimin i ri bashkëpunimi. “Po them një kapitull i ri sepse bashkëpunimi me zotin Emurli dhe bashkëpunëtorët e tij, në një organizatë tjetër, ka një traditë  të gjatë dhe shumë të frytshme. Ky është një rast i mirë që të shprehim mirënjohjen dhe falënderimin tonë për mbështetjen e vazhdueshme për Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë”.

Ajo shprehu bindjen se edhe kapitulli i ri i bashkëpunimit me organizatën SHER do të jetë i suksesshëm, meqë ka një përvojë të mirë bashkëpunimi dhe ekziston përkushtimi i mjaftueshëm për të qenë të suksesshëm. “Këtë kapitull të ri do ta fillojmë duke nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Universitetit “Isa Boletini” dhe organizatës SHER”, tha ajo.

Udhëheqësi i SHER, Aqim Emurli, fillimisht foli për punën e organizatës dhe bashkëpunimin që ka krijuar me institucionet e arsimit të lartë në Kosovë. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë që ka ky bashkëpunim me UIBM sa i përket fushave të caktuara dhe ngritjes së perfomancës së institucionit në përgjithësi.

Në Memorandumin e Bashkëpunimit janë specifikuar fushat, detyrat, obligimet dhe përgjegjësitë për secilën palë. Universiteti do të mbështetet në fusha me rëndësi, si rishikimi i statutit dhe dokumenteve strategjike, harmonizimi i rregulloreve me ligjet përkatëse, aspekti i sigurimit të cilësisë e të tjera.

1