3

Ekspertja Dr. Burcu Sirin-Kaya nga Universiteti Yeditepe viziton UIBM në kuadër të projektit “Kokrrat e Kafesë 2.0”

Në kuadër të projektit “Kokrrat e Kafesë 2.0: Siguria ushqimore dhe përmirësimi i cilësisë dhe parametrave shqisorë të kafesë me fermentim” i financuar nga MASHTI, Universiteti “Isa Boletini”, ka mirëpritur eksperten Dr. Burcu Sirin-Kaya nga Universiteti Yeditepe. Ekspertja po zhvillon aktivitetet e saj kërkimore në laboratorët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore (FTU), duke kontribuar në optimizimin e proceseve analitike të parametrave të kafesë përmes përdorimit të aparaturës HPLC.

Dr. Burcu Sirin-Kaya dhe bartësi i projektit, prof.ass.dr. Bahtir Hyseni, u pritën nga rektorja e Universitetit “Isa Boletini”, prof.dr. Nurten Deva. Gjatë takimit, u diskutua rëndësia e shkëmbimit të stafit akademik dhe transferimi i përvojave e njohurive përmes projekteve ndërkombëtare. Rektorja Deva theksoi rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimeve dhe shprehu gatishmërinë për të eksploruar mundësi të reja partneriteti në projekte të tjera ndërkombëtare.

Ekspertja dhe bartësi i projektit gjithashtu zhvilluan një takim me dekanin e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, prof.dr. Mesur Kelmendi, i cili shprehu mbështetjen e tij të plotë për aktivitetet kërkimore të zhvilluara në kuadër të projektit. Dekani vlerësoi angazhimin dhe kontributin e Dr. Burcu Sirin-Kaya në proceset laboratorike, duke e cilësuar punën e saj si një vlerë të shtuar për kërkimin shkencor në universitet.

Gjatë qëndrimit të saj njëmujor, ekspertja është e angazhuar në përmirësimin e metodave analitike për vlerësimin e parametrave të cilësisë së kafesë. Studentët dhe stafi akademik i përfshirë në projekt po punojnë intensivisht në bashkëpunim të ngushtë me eksperten, duke pasuruar përvojën e tyre akademike dhe praktike në fushën e teknologjisë ushqimore.

Ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve shkencore dhe teknologjike të universitetit, duke nxitur avancimin e kërkimeve në fushën e sigurisë ushqimore dhe cilësisë së produkteve të kafesë.

4
Shperndaj ne: