Fushatë informuese për programet e studimit në UIBM
Dy ekipe të formuara nga Zyra për Informim, Qendra e Karrierës, Zyra për Shërbime Studentore dhe Parlamenti Studentor kanë mbajtur takime informuese në shkollat e mesme të Komunës së Mitrovicës dhe Komunës së Vushtrrisë për programet e studimit në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM). Të mërkurën janë mbajtur takime informuese me maturantët e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda” dhe ata të Shkollës së Mesme Ekonomike “Hasan Prishtina” në Mitrovicë si dhe me maturantët e Gjimnazi “Eqrem Çabej”, Shkollës së Mesme Profesionale “Bahri Haxha” dhe Shkollës së Mesme Teknike “Lutfi Musiqi” në Vushtrri.
Maturantët janë njoftuar për kushtet moderne për studime, programet atraktive që sigurojnë punësim, bursat universitare, mundësitë e shkëmbimeve në universitete jashtë Kosovës etj. Studentët që janë pjesë e këtyre ekipeve kanë ndarë me maturantët përvojën e tyre gjatë studimit në UIBM.
Gjatë këtyre takimeve janë shpërndarë fletushka me informacione për programet e studimit si dhe kushtet që ofrohen për studentë. Gjithashtu janë shfaqur edhe video të kampusit universitar dhe hapësirave te brendshme të fakulteteve, sallave, laboratorëve etj.
Në vitin akademik 2025/26 në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë ofrohen këto programe studimi: Fakulteti i Gjeoshkencave ( Xehetari, Gjeologji, Materiale dhe Metalurgji), Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore (Teknologji, Inxhineri dhe Teknologji Ushqimore), Fakulteti i Inxhinerisë Mekanike dhe Kompjuterike (Inxhineri Mekanike, Shkenca Kompjuterike dhe Inxhineri dhe Inxhineri Ekonomike), Fakulteti Juridik (Juridik), Fakulteti Ekonomik (Biznes dhe Menaxhment me specializime: a. Banka, Financa dhe Kontabilitet dhe b. Menaxhment dhe Ndërmarrësi).
Të enjten takime të tilla do të mbahen Shkollës e Mesme Teknike “Arkitekt Sinani” në Mitrovicë si dhe me maturantët e tri shkollave të mesme në Skënderaj: Gjimnazi “Hamëz Jashari”, Shkolla e Mesme Teknike “Anton Çetta” dhe Qendra e Kompetencës.






